vendredi 23 octobre 2009

Kristo nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i "Shërbimeve Sekrete".


Intervista/Flet avokati mbrojtës, z.
Ilir Malindi:

Kristo nuk pranoi të
ishte bashkëpunëtor i
"Shërbimeve Sekrete".

Akuzat ndaj
tij për terrorizëm, qesharake…

Arrestimi i Artan Kristos, hakmarrje e SHISH

Me një gjuhë të thukët dhe të ashpër, shoqëruar
dhe nga argumente të forta juridike, avokat
Ilir Malindi, i cili mbron shtetasin Artan
Kristo, të arrestuar së fundi me akuza për terrorizëm,
shkon gjer aty sa të akuzojë për shkelje të të drejtave
të njeriut Shërbimet Sekrete Shqiptare si dhe organin e
akuzës, për qëllime të mbrapshta dhe aspak të bazuara
juridikisht ndaj klientit të tij. Sipas avokat
Malindit, arrestimi i z. Kristo, nuk është veçse një
batak që duan ti ngrejnë atij si hakmarrje ngaqë nuk
ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i 'Shërbimeve
Sekrete', si dhe nga fakti se dështuan me turp në
hetimin për ta shenjuar Kriston si vrasës potencial të
të ndjerit Sali Tivari.




-Fillimisht, a mund të na thoni
z. avokat se a ekziston ndonjë
prapa-situatë në transferimin e
dosjes së klientit tuaj Artan Kristo
nga Prokuroria e Tiranës në
Prokurorinë e Durrësit?
Simbas informacioneve të mija
për klientin tim Artan Kristo, ky
arrestim e ka zanafillën qysh para
10 viteve, në kohën e vrasjes së
të ndjerit, mikut tim Sali Tivari.
Në atë kohë u hodhën shumë
hipoteza e versione hetimore dhe
u konkludua se një nga vrasësit
mund të ishte z. Kristo. Ai u thirr
dhe u ndalua për një kohë, por
nuk u provua se ishte njëri nga
vrasësit mbasi kishte ruajtur të
gjitha dokumentat, si bileta,
pagesa hotelesh si dhe të tjera
jashtë Shqipërisë, prova këto në
favor të tij, të cilat shërbyen si
një alibi e fortë dhe e pakundërshtueshme
e faktit që ai nuk kishte
asnjë lidhje me vrasjen e Tivarit.
Në atë kohë, Kristo u vu
nën e kontroll të rreptë për t`u
gjurmuar, por për organet e
Shërbimeve Sekrete shqiptare qe
një disfatë e plotë ne hetimin dhe
gjurmimin e vrasësve të vërtetë.
Ndërkohë, këto 'Shërbime' tentuan
dhe ta rekrutonin si spiunin
e tyre Kriston, i cili natyrshëm
nuk a ka pranuar një
pozitë të tillë. E them me bindje
të plotë se Artan Kristo refuzoi
me përbuzje që të bëhej spiun i
një 'shërbimi' krejtësisht ordiner,
të cilin e tërheqin prej hundësh
shërbimet e tjera armike
dhe mike. Në dokumentat që
administrohen në fashikullin
gjyqësor dhe që përbëjnë sekret
shtetëror, të cilat janë firmosur
nga Drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri,
dhe që është nënshkruar në
datën 10.06.2009, merren
pasazhe të shkurtëra nga leksionet
në zbërthim të Kuranit në
lidhje me Xhihadin, të ashtëquajtur
Luftë e Shenjtë dhe u bëhen
interpretime injorantësh me
keqdashje dhe, për një lexues të
thjeshtë dhe të paditur krijohet
mendimi se kemi të bëjmë me
një terrorist të vërtetë. Vetë
mënyra se si u morr vendimi i
Gjykatës si dhe arrestimi në
xhami kur ai po falej, përbën një
akt kriminal i të drejtave të njeriut
si dhe vepër penale
përkundër Kushtetutës së Shqipërisë.
Eshtë interesant se si Shërbimi
Sekret Shqiptar, ditën e arrestimit
të z. Kristo mbushi me
informacione të klasifikuara
'sekret' gjithë mjetet e shtypit
dhe ato elektronike duke hapur
një opinion për vepra terroriste
si dhe duke paragjykuar klientin
tim në mënyrën më kriminale,
ndërkohë që çështja nuk është
hetuar akoma si dhe gjykuar
nga gjykata shqiptare. Ky veprim
ndodhte vetëm në Gjermaninë
e Hitlerit, Rusinë staliniste
si dhe në terrorin kohës së Enver
Hoxhës. Fakt është se z. Kristo
e privuan nga e drejta për të
shkuar në vende të tjera dhe se
para një viti e kishin kthyer
mbrapa në aeroportin e Kajros
pa i dhënë shpjegime. Tani emri
i tij ishte në listat e shërbimeve
policeske dhe agjenturore të të
gjitha vendeve si i predispozuar
për të qenë terrorist pa patur me
parë një vendim gjykate ose urdhër-
arrest ndërkombëtar. Ishin
autoritetet shqiptare që përgatitën
të gjithë këtë skenar
kundër z. Kristo, mbasi dështuan
plotësisht në rekrutimin e tij
si dhe në gjetjen e provave për
terrorizëm. Ai është survejuar për
mëse 10-vjet nga këto 'shërbime'
si nga ato sekrete shqiptare ashtu
dhe nga anti-terrori i Ministrisë
së Punëve të Brendëshme.
Prandaj me një shkak ose një
tjetër, ai ishte futur në rreth të zi
që të arrestohej ose të netraulizohej
me ndonje sebep tjetër.
Përfundimisht, atë e arrestuan
si terrorist sipas gazetave që
janë në shërbim të këtyre 'shërbimeve'
për të përhapur dezinformime,
jo vetëm për këtë rast
por edhe të tjera që i di mirë
nëpunësi i përkohshëm z. Shaqiri
dhe të tjerë.
-Tani konkretisht, çfarë nuk shkon
në akuzën e ngritur ndaj klientit
tuaj Artan Kristo?
Përsa i përket akuzës që i bëhet
të mbrojturit prej meje z. Artan
Kristo, ajo na kthen në kohën e
diktatorit Enver Hoxha, në Nenin
55 të Kodit Penal të vitit 1976
për agjitacion dhe propogandë.
Si ka mundësi që në bazë të nenit
232/a të Kodit Penal për thirrje
etj., me qëllim terrorizmin të
përdoren citate të shkëputura të
teksteve të plota pyetje - përgjigje
të z. Kristo me besimtarët si dhe
me agjentë të Shërbimit Sekret
Shqiptar provokator kur në to
mungojnë organizimi, pregatitja,
gjetja e mjeteve etj, etj., që
parashikon ky Kod dhe që janë
zbërthyer aq qartë edhe në Komentarin
e Kodit Penal?! Në
këtë dispozitë kërkohet ana subjektive,
dashja për të bërë thirrje
me qëllim terrori dhe që kërkon
edhe elementë si ato që përmenda
me lartë. Kjo akuzë është krejtësisht
e pa bazë dhe vetëm për
të futur qytetarët brenda në burg
dhe që këto organe si Shërbimi
Sekret dhe Prokuroria bëjnë
gafën më të madhe duke arrestuar
njerëz që thjesht shprehim
mendimet e tyre, të mbrojtura
nga Kushtetua jonë.
-Në çfarë argumentash juridikë
është bazuar mbrojtja juaj?
Ne nuk jemi njohur plotësisht
me përmbajtjen e akuzës si dhe
dokumentat sekrete që Prokuroria
e Shtetit ua ka shpërndarë
më parë mjeteve të informacionit
të shkruar dhe elektronike dhe
sa të na bien në dorë, do ti vlerësojmë
dhe kundërshtojmë me
specialistë të teologjisë. Janë të
vetmit këta që mund të bëjnë
interpretimin e tekseve të plota
që z. Kristo ka bashkëbiseduar
me besimtarë si dhe me agjentë
të Shërbimeve Sekrete Shqiptare
ku dhe këta janë shndërruar në
informacion për këto 'shërbime'
me të vetmin qëllim, e theksoj,
agjitacion dhe propogandë
kundër gjithë botës. Eshtë përdorur
e njëjta metodë e përpunimit
sekret 2A që bënte organizata
kriminale Sigurimi i
Shtetit, të cilën unë e kam njohur
me themel. Në këto raste
nuk është përdorur këshillimi
apo demaskimi siç bëhej atëherë
nga Sigurimi, por në mënyrë
kriminale është provokuar një
qytetar për të kryer një krim që
dhe kjo për ata që e kanë organizuar,
përbën vepër penale me
shtyerje në krim.
-Akuza ndërkohë, po zgjerohet
dhe në një linjë tjetër, atë të bigamisë….
Më është thënë dhe para ca
netësh nga një gazetar i njohur
se z. Kristo po e akuzojnë për
një vepër tjetër, për bashkëjetesë
me dy gra. Siç ia shpreha gazetarit,
gjë që u botua te gazeta
"Shekulli", në Kodin Penal nuk
është e parashikuar kjo vepër
dhe se kjo propogandë është, e
theksoj, kriminale dhe ata që
vazhdojnë të paragjykojnë personin
nën akuzë, të mbrojturin
prej meje Artan Kristo, duhet të
arrestohen që të venë mend të
tjerët që duan të krijojnë të tillë
bataku të ndyrë, ku merren në
qafë njerëz të pafajshëm.
-Si e parashikoni proçesin në
vijim?
Do të ndiqen të gjitha afatet që
parashikon Kodi i Proçedures
Penale në hetimin e një vepre
penale.

Intervistoi Ermir Hoxha

Aucun commentaire: