vendredi 23 octobre 2009

XHIHADI I PAMUNDUR I ARTAN KRISTOS


XHIHADI I PAMUNDUR I ARTAN KRISTOS

Nga : Besnik Sinani



Ditët që pasuan arrestimin
e qytetarit durrsak Artan
Kristo, me akuzën për
nxitje terrorizmi, u shoqëruan me
demonstrime në media të website-
it, ku Kristo postonte opinionet
e tij fetare si dhe citime nga
një kumtesë e tij prej gati 15
minutash, në të cilën ai flet për
përgatitje për xhihad. Sipas medias,
organet përgjegjëse për arrestin
kanë ofruar si prova
inkriminimi të Kristos pikërisht
këto postime dhe kumtesa.
Në fakt, një shqyrtim i thjeshtë i
tekstit inkriminues të hedhur në
Internet nga Kristo, tekst i botuar
i plotë në disa gazeta të përditshme,
zbulon qartësisht se vetë i
akuzuari akuzon një person si të
devijuar nga feja, për shkak se ky
i fundit paska thënë frazën "Bin
Ladeni është muxhahid (apo
luftëtar sipas variantit në gazeta)
i madh". Kjo frazë i atribuohet
gabmisht Kristos, kur ky vetëm
sa e ka cituar atë për të stigmatizuar
një person tjetër.
Më i ndërlikuar për t'u interpretuar
shfaqet citimi i kumtesës së
hedhur në Youtube nga i akuzuari.
Kjo kumtesë është paraqitur
si përgjigje ndaj një pyetje
drejtuar Kristos nëse "ka sot xhihad".
Përgjigja e tij gjendet në internet
për këdo që dëshëron ta
dëgjojë, por është vështirë të kuptosh
mesazhin e Kristos pa e vendosur
atë në kontekstin e debateve
fetare që ndodhin sot kryesisht
në Lindjen e Mesme, si dhe
pa i kushtuar vëmendje asaj që
"nuk thuhet" në atë mesazh, po
aq sa asaj që thuhet.
Kristo i qëndron besnik një pozicioni
fetar të njohur në literaturën
perendimore të këtij fenomeni si
"selefizëm tradicionalist". Burimet
e tij fetare, sidomos në lidhje
me çështjen në fjalë të xhihadit,
bëhen të qarta nëse shihen postimet
e tjera nga website-i që Kristo
drejtonte, apo në përkthime në
shqip të qëndrimeve nga figura
të njohura të kësaj tendence fetare:
dijetarit me origjinë shqiptare
Nasirudin Al- Albani
(vdiq 1999) dhe atij saudit, Ibn
Uthejmini (vdiq më 2001). Këto
dy figura qendrore të selefizmit
tradicionalist janë cituar, midis të
tjerave, të shprehen qartë se, sipas
doktrinës së tyre fetare, operacionet
kamikaze në emer të xhihadit,
janë fetarisht të ndaluara
(haram). Tek qëndrimet e këtyre
dy figurave dhe tek debatet e
vazhdueshme rreth çështjes së
xhihadit në tribunat fetare mys-
limane, gjendet informacioni i
duhur për të kuptuar domethënien
e mesazhit të Kristos, i
cili, në fakt, nuk është aspak original
sa është riprodhim i retorikave
dhe refreneve të selefizmit
tradicionalist. Ironikisht, në
gjuhën e militantëve të tipit të Al
Kaidas dhe mbështetësve të tyre,
qëndrimi i paraqitur nga Kristo,
do të cilësohej si oportunist dhe
burracak, bërje bisht ndaj detyrës
së luftës për çlirimin e tokave të
pushtuara të myslimanëve në Irak
apo Palestinë dhe ndaj mbështetësve
të Izraelit apo të qeverive
shtypëse të Lindjes së Mesme.
Për të qartësuar më tej nuancat
dhe pështjellimet që lindin gjatë
trajtimit të këtyre temave të nxehta,
le të adresojmë shkurtimisht
termin 'xhihad', i cili prej kaq kohësh
është kthyer në aktor gjeopolitik.
Sipas të drejtës islame ka dy lloje
lufrash të armatosura. Njëra është
luftë e shpallur nga autoriteti i
udhëheqësit shtetëror të komunitetit
të gjithë besimtarëve, kalifit,
ndaj një entiteti tjetër. Deklarimi
i kësaj lufte, në të drejtën
klasike islame, është prerogativ i
kalifit dhe si i tillë është praktikisht
vështirë të realizohet në praktikë
pasi, bie fjala, edhe dinastia
osmane, e cila e ka pretenduar
këtë titull, e ka përdorur atë vetëm
në mënyrë fragmetare gjatë sundimit
të saj dhe për pasojë, ky post
për qindra vjet nuk ka patur një
përfaqësues të mirëfilltë. Për
shumë nga doktorët e të drejtës
islame, pushtimet e osmanëve
nuk kualifikoheshin si xhihad.
Sot, pas suprimimit të Kalifatit
"teorik" nga Ataturku, e në mungesë
të një prijësi që pranohet nga
gjithë komuniteti global i besimtarëve
si kalif, ky lloj xhihadi
është praktikisht i pamundur.
Forma e dytë e xhihadit, është e
drejta e vetmbrojtjes ndaj një
pushtimi të huaj. Sipas shumicës
së figurave qendrore fetare myslimane
sot, kjo është e vetmja formë
legjitime e xhihadit, apo luftës së
armatosur në ditët e sotme. Risia
monstruoze e Al Kaidës ka qenë
të pretendojë se lufta kundër shteteve
të Perëndimit, në qytetet e
Perëndimit, është luftë vetëmbrojtëse.
Autoritete fetare si Nasirudin
Al Albani dhe Ibn Uthejmini,
ndër shumë të tjerë, janë
shprehur energjikisht kundër
kësaj risie. Gjithashtu, në të
drejtën islame, lufta disiplinohet
nga disa obligime etike, si ndalimi
i sulmit ndaj palëve të papërfshira
në betejë, qofshin këta edhe
të palës armike. Për Al Kaidën
dhe grupe të tjera moderne terroriste,
këto ndalesa fetare nuk
duhet të pengojnë përdorimin e
metodave luftarake të cilat nuk
bëjnë dallim midis ushtarëve dhe
civilëve. Kjo vjen, sipas tyre, sepse
teknikat moderne të luftës e
bëjnë këtë dallim të pamundur.
Kështu, për dallim nga sa shpall
botërisht krahu ideologjik i Al
Kaidës, çdo dëgjues mund të vërë
re dy elementë të rëndësishëm të
ligjërimit të Kristos. Së pari, mungesa
e përmendjes së Irakut si
fushë legjitime që kërkon xhihad,
përpjekje të armatosur për çlirimin
nga pushtimi amerikan.
Grupe militante kanë akuzuar
prej kohësh figurat kryesore fetare
të Arabisë Saudite, bastionit gati
zyrtar të selefizmit tradicionalist,
se kanë shpërdoruar mësimet fetare
për të menjanuar deklarimin
e xhihadit, obligimit për të luftuar
në Irak. Në të kundërt, disa elementë
të selefizmi tradicionalist
janë përqëndruar në trajtesa teorike
e klasike të xhihadit, si ato për
domosdoshmërinë e "rikthimit të
Andalusit", apo Spanjës myslimane
të shekujve të sundimit
maur. Të tilla qëndrime emblematike
duhen parë paralel me
ligjërime të ngjashme mbi "parajsat
e humbura"që gjejmë edhe në
ideologë të frymëzimeve të tjera
fetare, si psh. kur flitet për rikthimin
e Stambollit (Kostandinopojës)
në fenë e parë, etj. Mund
të thuhet se përtej efekteve irrituese,
ligjërimi i Kristos, si rixhirim
i qëndrimeve të njohura të
mësuesve të tij shpirtërorë, nuk
ka reperkursione praktike dhe
mbi të gjitha, është i konstruktuar
të jetë i tillë.
Kjo del dhe më e qartë nga eksplorimi
i temave sektare që
gjenden në çështjen e dytë të trajtuar
nga Kristo, tek ajo e "përgatitjes".
Çdo të thotë "përgatitje"
në leksikun fetar të selefizmit
tradicionalist?
Sipas kësaj shkolle fetare, çdo fatkeqësi
politike në botën myslimane,
veçanërisht kolonializmi i
Lindjes së Mesme, shpërbërja e
Kalifatit, apo pushtimi i Palestinës
dhe formimi i Izraelit, janë
dënime nga Zoti për devijimet ose
papastërtinë doktrinare të myslimanëve.
Për këtë arsye, teksa
Kristo i referohet "përgatitjes" me
referenca prej një vargu kuranor
mbi betejat profetike, tema e tij
kryesore ka të bëjë me "përgatitjen
doktrinare." Ironia e kësaj
teze është se është e mbështetur
mbi kushtin që "koha e xhihadit"
është atëherë kur të jetë arritur
kjo "pastërti doktrinare." Çdo studiues
i mendimit islam është i njohur
me faktin se ky pretendim për
pastërti doktrinare është historikisht
i pamundur, dhe thjesht
utopik, prej faktit se nuk ka konsensus
midis myslimanëve mbi
këtë "pastërti doktrinare." Çdo të
thotë kjo? Kjo do të thotë se Kristo,
si një nga shumë pasuesit e
selefizmit tradicionalist në botë,
teksa përqafon teorikisht idenë e
xhihadit si luftë çlirimtare, në
praktikë, bën thirrje për pauzë
ideologjike deri sa të arrihet
pastërtia doktrinare, e cila është
në fakt e paarritshme.
Ai qartazi fajëson, për shembull,
për gjendjen në Palestinë, aktet e
shirkut (politeizmit) dhe kufrit
(mosbesimit) të myslimanëve të
atjeshëm. Qartazi, për Kriston,
ata nuk kanë pastërtinë doktrinare
të duhur. Këto dhjetëra
vjet, pretendon ai, në vend të asaj
çfarë është bërë, pra akteve luftarake,
duhet të ishte punuar me
edukimin e doktrinës së drejtë.
Sigurisht që ky nuk është një
qëndrim original i Kristos. Ai
përsërit gati fjalë për fjalë diskurset
e njërit prej mësuesve të vet
shpirtërorë, Nasirudin Al Albanit,
për nder të të cilit, me sa duket,
Kristo ka adoptuar mbiemrin "Albani"
në pseudonimin e tij "akademik",
me të cilin nënshkruan
opinionet e veta fetare në Internet.
Konkretisht, sa i përket Palestinës,
dijetari Nasirudin Al Albani
pat deklaruar se nëse gjendja
e vështirë e palestinezëve në
tokat e pushtuara i pengon nga
dedikimi i nevojshëm fetar, ata
duhet të emigrojnë nga ajo tokë.
Pra, jo të luftojnë. Për ngarkesën
nacionaliste që mbart çështja e
Palestinës në Lindjen e Mesme,
nuk mund të ketë provokim më
të madh. Por kjo ilustron idenë se
për mësuesit shpirtërorë të Kristos,
"lufta" teologjike është ajo që
ka përparësi mbi çdo kauzë nacionaliste
apo pan-islamiste si
Palestina. Praktikisht, kjo do të
thotë se, teksa selefinjtë si Kristo
trajtojnë temën e xhihadit, automatikisht
atë e përfytyrojnë në
një kohe të pacaktuar, gati johistorike,
kur të arrihet masivizimi
konsensual i pastërtive të doktrinës
e ritualit. Në të kundërt, për
ideologët që mbështesin metodologjitë
e Al Kaidas, të parët përbëjnë
oportunistë, të cilët në fakt
dëmtojnë kauzën e Islamit duke
induktuar pasivitet tek pasuesit
e tyre, dhe duke i drejtuar ata të
shohin thelbin e problemit jo tek
Amerika dhe qeveritë e Lindjes
së Mesme, ku e sheh Al Kaida, por
tek imtësitë e ritualit apo tek debatet
teologjike, të cilat kanë
shekuj që myslimanët nuk i zgjidhin.
Me pak fjalë, Xhihadi për të
cilin flet Kristo, është praktikisht
i pamundur. Përfshirë në debate
kontroversiale të largëta nga realiteti
shqiptar, teorizimet dhe
qëndrimet e Artan Kristos, alias
Muhamed Abdullah al Albanit,
sigurisht që janë shqetësuese për
optikën e një publiku jo të specializuar.
Por nuk duhet harruar
se jo gjithçka që trondit apo irriton
publikun e gjerë përbën krim.
Agjensitë dhe organet që po trajtojnë
rastin Kristo, duhet medoemos
të kërkojnë asistencë nga ekspertë
të mirëfilltë të terrorizmit
apo ekstremizmit islamik tek homologët
e tyre perëndimorë, për
të kuptuar drejt formulimet e tij
retorike, për të përcaktuar qartë
në kemi të bëjmë me nxitje për
dhunë konkrete, apo vetëm me
vizione dhe predikime, qofshin ato
edhe reaksionare. Nëse duhet patjetër
një shembull preventiv
kundër frymëzimeve të mëtejshme
ekstremiste, Artan Kristo
"al Albani" (arabisht: shqiptari)
që shpall si heretikë e devijantë
simpatizantët e Bin Ladenit, nuk
do të ishte kurbani i duhur.

Kristo nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i "Shërbimeve Sekrete".


Intervista/Flet avokati mbrojtës, z.
Ilir Malindi:

Kristo nuk pranoi të
ishte bashkëpunëtor i
"Shërbimeve Sekrete".

Akuzat ndaj
tij për terrorizëm, qesharake…

Arrestimi i Artan Kristos, hakmarrje e SHISH

Me një gjuhë të thukët dhe të ashpër, shoqëruar
dhe nga argumente të forta juridike, avokat
Ilir Malindi, i cili mbron shtetasin Artan
Kristo, të arrestuar së fundi me akuza për terrorizëm,
shkon gjer aty sa të akuzojë për shkelje të të drejtave
të njeriut Shërbimet Sekrete Shqiptare si dhe organin e
akuzës, për qëllime të mbrapshta dhe aspak të bazuara
juridikisht ndaj klientit të tij. Sipas avokat
Malindit, arrestimi i z. Kristo, nuk është veçse një
batak që duan ti ngrejnë atij si hakmarrje ngaqë nuk
ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i 'Shërbimeve
Sekrete', si dhe nga fakti se dështuan me turp në
hetimin për ta shenjuar Kriston si vrasës potencial të
të ndjerit Sali Tivari.




-Fillimisht, a mund të na thoni
z. avokat se a ekziston ndonjë
prapa-situatë në transferimin e
dosjes së klientit tuaj Artan Kristo
nga Prokuroria e Tiranës në
Prokurorinë e Durrësit?
Simbas informacioneve të mija
për klientin tim Artan Kristo, ky
arrestim e ka zanafillën qysh para
10 viteve, në kohën e vrasjes së
të ndjerit, mikut tim Sali Tivari.
Në atë kohë u hodhën shumë
hipoteza e versione hetimore dhe
u konkludua se një nga vrasësit
mund të ishte z. Kristo. Ai u thirr
dhe u ndalua për një kohë, por
nuk u provua se ishte njëri nga
vrasësit mbasi kishte ruajtur të
gjitha dokumentat, si bileta,
pagesa hotelesh si dhe të tjera
jashtë Shqipërisë, prova këto në
favor të tij, të cilat shërbyen si
një alibi e fortë dhe e pakundërshtueshme
e faktit që ai nuk kishte
asnjë lidhje me vrasjen e Tivarit.
Në atë kohë, Kristo u vu
nën e kontroll të rreptë për t`u
gjurmuar, por për organet e
Shërbimeve Sekrete shqiptare qe
një disfatë e plotë ne hetimin dhe
gjurmimin e vrasësve të vërtetë.
Ndërkohë, këto 'Shërbime' tentuan
dhe ta rekrutonin si spiunin
e tyre Kriston, i cili natyrshëm
nuk a ka pranuar një
pozitë të tillë. E them me bindje
të plotë se Artan Kristo refuzoi
me përbuzje që të bëhej spiun i
një 'shërbimi' krejtësisht ordiner,
të cilin e tërheqin prej hundësh
shërbimet e tjera armike
dhe mike. Në dokumentat që
administrohen në fashikullin
gjyqësor dhe që përbëjnë sekret
shtetëror, të cilat janë firmosur
nga Drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri,
dhe që është nënshkruar në
datën 10.06.2009, merren
pasazhe të shkurtëra nga leksionet
në zbërthim të Kuranit në
lidhje me Xhihadin, të ashtëquajtur
Luftë e Shenjtë dhe u bëhen
interpretime injorantësh me
keqdashje dhe, për një lexues të
thjeshtë dhe të paditur krijohet
mendimi se kemi të bëjmë me
një terrorist të vërtetë. Vetë
mënyra se si u morr vendimi i
Gjykatës si dhe arrestimi në
xhami kur ai po falej, përbën një
akt kriminal i të drejtave të njeriut
si dhe vepër penale
përkundër Kushtetutës së Shqipërisë.
Eshtë interesant se si Shërbimi
Sekret Shqiptar, ditën e arrestimit
të z. Kristo mbushi me
informacione të klasifikuara
'sekret' gjithë mjetet e shtypit
dhe ato elektronike duke hapur
një opinion për vepra terroriste
si dhe duke paragjykuar klientin
tim në mënyrën më kriminale,
ndërkohë që çështja nuk është
hetuar akoma si dhe gjykuar
nga gjykata shqiptare. Ky veprim
ndodhte vetëm në Gjermaninë
e Hitlerit, Rusinë staliniste
si dhe në terrorin kohës së Enver
Hoxhës. Fakt është se z. Kristo
e privuan nga e drejta për të
shkuar në vende të tjera dhe se
para një viti e kishin kthyer
mbrapa në aeroportin e Kajros
pa i dhënë shpjegime. Tani emri
i tij ishte në listat e shërbimeve
policeske dhe agjenturore të të
gjitha vendeve si i predispozuar
për të qenë terrorist pa patur me
parë një vendim gjykate ose urdhër-
arrest ndërkombëtar. Ishin
autoritetet shqiptare që përgatitën
të gjithë këtë skenar
kundër z. Kristo, mbasi dështuan
plotësisht në rekrutimin e tij
si dhe në gjetjen e provave për
terrorizëm. Ai është survejuar për
mëse 10-vjet nga këto 'shërbime'
si nga ato sekrete shqiptare ashtu
dhe nga anti-terrori i Ministrisë
së Punëve të Brendëshme.
Prandaj me një shkak ose një
tjetër, ai ishte futur në rreth të zi
që të arrestohej ose të netraulizohej
me ndonje sebep tjetër.
Përfundimisht, atë e arrestuan
si terrorist sipas gazetave që
janë në shërbim të këtyre 'shërbimeve'
për të përhapur dezinformime,
jo vetëm për këtë rast
por edhe të tjera që i di mirë
nëpunësi i përkohshëm z. Shaqiri
dhe të tjerë.
-Tani konkretisht, çfarë nuk shkon
në akuzën e ngritur ndaj klientit
tuaj Artan Kristo?
Përsa i përket akuzës që i bëhet
të mbrojturit prej meje z. Artan
Kristo, ajo na kthen në kohën e
diktatorit Enver Hoxha, në Nenin
55 të Kodit Penal të vitit 1976
për agjitacion dhe propogandë.
Si ka mundësi që në bazë të nenit
232/a të Kodit Penal për thirrje
etj., me qëllim terrorizmin të
përdoren citate të shkëputura të
teksteve të plota pyetje - përgjigje
të z. Kristo me besimtarët si dhe
me agjentë të Shërbimit Sekret
Shqiptar provokator kur në to
mungojnë organizimi, pregatitja,
gjetja e mjeteve etj, etj., që
parashikon ky Kod dhe që janë
zbërthyer aq qartë edhe në Komentarin
e Kodit Penal?! Në
këtë dispozitë kërkohet ana subjektive,
dashja për të bërë thirrje
me qëllim terrori dhe që kërkon
edhe elementë si ato që përmenda
me lartë. Kjo akuzë është krejtësisht
e pa bazë dhe vetëm për
të futur qytetarët brenda në burg
dhe që këto organe si Shërbimi
Sekret dhe Prokuroria bëjnë
gafën më të madhe duke arrestuar
njerëz që thjesht shprehim
mendimet e tyre, të mbrojtura
nga Kushtetua jonë.
-Në çfarë argumentash juridikë
është bazuar mbrojtja juaj?
Ne nuk jemi njohur plotësisht
me përmbajtjen e akuzës si dhe
dokumentat sekrete që Prokuroria
e Shtetit ua ka shpërndarë
më parë mjeteve të informacionit
të shkruar dhe elektronike dhe
sa të na bien në dorë, do ti vlerësojmë
dhe kundërshtojmë me
specialistë të teologjisë. Janë të
vetmit këta që mund të bëjnë
interpretimin e tekseve të plota
që z. Kristo ka bashkëbiseduar
me besimtarë si dhe me agjentë
të Shërbimeve Sekrete Shqiptare
ku dhe këta janë shndërruar në
informacion për këto 'shërbime'
me të vetmin qëllim, e theksoj,
agjitacion dhe propogandë
kundër gjithë botës. Eshtë përdorur
e njëjta metodë e përpunimit
sekret 2A që bënte organizata
kriminale Sigurimi i
Shtetit, të cilën unë e kam njohur
me themel. Në këto raste
nuk është përdorur këshillimi
apo demaskimi siç bëhej atëherë
nga Sigurimi, por në mënyrë
kriminale është provokuar një
qytetar për të kryer një krim që
dhe kjo për ata që e kanë organizuar,
përbën vepër penale me
shtyerje në krim.
-Akuza ndërkohë, po zgjerohet
dhe në një linjë tjetër, atë të bigamisë….
Më është thënë dhe para ca
netësh nga një gazetar i njohur
se z. Kristo po e akuzojnë për
një vepër tjetër, për bashkëjetesë
me dy gra. Siç ia shpreha gazetarit,
gjë që u botua te gazeta
"Shekulli", në Kodin Penal nuk
është e parashikuar kjo vepër
dhe se kjo propogandë është, e
theksoj, kriminale dhe ata që
vazhdojnë të paragjykojnë personin
nën akuzë, të mbrojturin
prej meje Artan Kristo, duhet të
arrestohen që të venë mend të
tjerët që duan të krijojnë të tillë
bataku të ndyrë, ku merren në
qafë njerëz të pafajshëm.
-Si e parashikoni proçesin në
vijim?
Do të ndiqen të gjitha afatet që
parashikon Kodi i Proçedures
Penale në hetimin e një vepre
penale.

Intervistoi Ermir Hoxha